Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi do të ketë një vizitë gjatë këtij muaji në Suedi për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.
Nga zyra e Bislimit thonë se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor. Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Mirëpo, ndryshe këtë proces e shohin dy partitë opozitare, PDK dhe LDK dhe njohësit e proceseve integruese të BE-së, të cilën konsiderojnë se rruga e Kosovës në Bashkim Evropian varet nga dialogu Kosovë-Serbi dhe pesë vendet mosnjohëse të Kosovës.
”Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së. Gjatë këtij muaji, pritet që zëvendëskryeministri Bislimi të ketë dhe një vizitë në kryeqendrën suedeze, për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe rrugën përpara të Kosovës në proceset e integrimit evropian. Hapat përpara dhe rruga tutje në integrimin e Kosovës drejt BE-së, janë biseduar edhe në takimin e fundit me Komisionerin Varhelyi. Ne jemi optimist e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, thotë Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se aplikimi për anëtarësim në BE është bërë vetëm sa për foto në rrjete sociale, pasi shqyrtimi dhe pranimi i aplikacionit nuk është i mundur pa pesë vendet mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës.
Ajo shton se institucionet kosovare nuk kanë bërë asnjë hap përpara me asnjërën prej këtyre pesë vendeve, rrjedhimisht ato do të jenë kategorike kundër pranimit të aplikacionit të Kosovës për statusin vend kandidat për anëtarësim në BE.
“Këto aplikime për anëtarësime bëhen sa për foto në rrjete sociale. Asnjë anëtarësim i Republikës sonë nuk mund të bëhet nëse kemi një dritë të gjelbër nga shtetet që janë me fuqi botërore dhe shumë prej tyre janë shtete mike me Kosovën. Vlerësoj se edhe për aplikim në Bashkim Evropian është e njëjta storje si me Këshill të Evropës, pasi ke pesë vende mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, nuk e ke asnjë hap që e ke bërë përpara që e ke bërë me asnjërën prej tyre dhe e dorëzon një aplikim, kur e din që po të pestat do të votojnë kundër”, thotë ajo.
Skeptike për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës gjatë këtij viti është edhe deputetja e LDK-së, njëherësh edhe kryetare e Komisionit parlamentar për integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.
Ajo thotë se proceset integruese të Kosovës janë lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë.
“Të gjitha proceset integruese janë të lidhura me marrëveshjen e (Brukselit) dhe Ohrit që pa implementimin e asaj marrëveshjeje nuk do të ketë hapa të tjerë, siç janë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe Këshill të Evropës. E pamë edhe me liberalizimin e vizave, që tani ka mbetur vetëm të votohet në Parlamentin Evropian dhe presim që të përfundojë shpejtë ky proces. Mirëpo proceset të tjera janë të lidhura ngushtë me procesin e dialogut”, deklaron Krasniqi.
Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE më shumë ka qenë strategjik, për të treguar orientimin properëndimor, pasi, sipas tij, realisht është ditur se aplikacioni i Kosovës nuk do të merret parasysh për një kohë.
“Trajtimi i aplikacionit të Kosovës me gjasë nuk do të merret parasysh edhe për një kohë. Fakti që Kosova ka aplikuar ka qenë strategjik, tregues i orientimit sesa realisht një pritshmëri që të merret në trajtim kërkesa e saj. Pra më shumë ka qenë për të treguar orientimin, pozicionin se Kosova është palë konstruktive”, thotë Imeri.
Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.
Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja.