Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe kompania amerikane General Electric (GE) të premten kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të Termocentralit “Kosova B”.
Marrëveshja u vlerësuar e rëndësishme edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se modernizimi në këtë termocentral ka qenë i domosdoshëm.
Kurti theksoi se nënshkrimi i sotëm shënon një ngjarje vendimtare, për një nga shtyllat kryesore të energjisë së Kosovës, KEK-un.
“Kosova B, si termocentrali më i ri, ka bartur barrën më të rëndë. Ceremonia e sotme është një nga hapat kryesorë që po ndërmerren për të hequr atë barrë, për të rritur sigurinë tonë të furnizimit, dhe për t’iu qasur sektorit të energjisë me vizion. Është me vend që ne të jemi këtu sot, së bashku me General Electric, vetë kompaninë që projektoi teknologjinë e termocentraleve tona më 1983 dhe 1984, dhe tani do të bëjë modernizimin e Kosovës B, për të siguruar që ajo të qëndrojë e fortë për dekadat e ardhshme”, theksoi Kurti.
Kurti ka folur për rëndësinë e këtij modernizimi, ku theksoi se kapaciteti i njësive do të rritet nga 13 në 17 megavat.
“Kapaciteti i njësive do të rritet nga 13 në 17 megavat. Pasi të kryhen punimet e rindërtimit në turbinat me presion të lartë dhe të ulët, riparimet e shpeshta kapitale nuk do të jenë më të nevojshme, tani ato do të kërkohen vetëm çdo tetë ose nëntë vjet. Në thelb, këto investime do të rezultojnë në rritje të prodhimit që është i krahasueshëm me ndërtimin e një fabrike të re. Rritja e prodhimit do të përkthehet në një pavarësi më të madhe energjetike, duke reduktuar varësinë tonë nga importet. Duke qenë se pavarësia energjetike është një nga synimet tona kryesore, modernizimi do të përshtatet mirë me përpjekjet tona të përgjithshme në këtë sektor dhe do të jetë në përputhje me strategjinë tonë të parë të bazuar në studime”, theksoi ai.
Kryeshefi ekzuekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka theksuar se me këtë projekt modernizimi, KEK-u prezanton avancimin më të fundit teknologjik.
Ai tha se për shkak të mungesës së investimeve të konsiderueshme dhe mirëmbajtjeve të tjera të shpejta, gjendja e blloqeve aktuale është kritike dhe kërkon vëmendje dhe angazhim të menjëhershëm.
Sipas tij, KEK ka kryer një investim të konsiderueshëm në vlerë prej 47.9 milionë euro për modernizimin e turbinave me avull të njësive të Kosovës B, duke shfrytëzuar avancimin më të fundit teknologjik.
“Kjo përpjekje modernizimi do të sigurojë që termocentralet tona të funksionojnë me efikasitet optimal, prodhim më të besueshëm të energjisë elektrike dhe me kosto më efektive. Ky investim madhor do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14 deri në 16 megavat dhe do të zgjasë jetën e dobishme të turbinave për 20 vjet të tjera dhe do të zgjasë ciklin e jetës së riparimeve të kapitalit nga çdo pesë vjet sa është tani, në çdo tetë deri në nëntë vjet në të ardhmen. Ky investim do të na lejojë të vazhdojmë me kërkesën në rritje për energji elektrike duke siguruar që termocentralet tona të mbeten efikase dhe të besueshme. Me këtë projekt modernizimi ne po prezantojmë avancimin më të fundit teknologjik në inxhinierinë e termocentraleve për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin”, theksoi Krasniqi.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm rajonal i General Electric, Simon Glover në kompaninë General Electric (GE) thekson sa i përket ndërtimit të termocentralit “Kosova B”, janë të kënaqur që mund të ofrojnë shërbimet dhe mirëmbajtjen për ato njësi. Por siç tha ai, tani është koha për të përmirësuar performancën e atyre njësive, për të rritur prodhimin e energjisë së atyre njësive.
“Por siç u shpreh edhe kryeministri Kurti, tani është koha për të përmirësuar performancën e atyre njësive. Për të rritur efikasitetin e atyre njësive, për të reduktuar emetimet dhe për të respektuar kushtet mjedisore që duhet të përmirësojmë, dhe në fund për të ofruar një aset të vlefshëm që është thelbësor për suksesin e vazhdueshëm të Kosovës si vend dhe KEK si kompani energjetike, korporatë energjetike. Jemi shumë krenarë që jemi në gjendje të mbështeim këtë projekt”, tha Glover.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se në strategjinë për energji planifikohet të kalohet nga qymyri te burimet e rinovueshme.
“Për të realizuar këtë vizion të strategjisë sonë, duhet të kemi kapacitete të besueshme dhe më të sigurta të qymyrit dhe për këtë parashikojmë në objektivin e parë të strategjisë rritjen e besueshmërisë dhe sigurisë. Dhe në fakt projekti që po shënojmë këtu sot është një nga aktivitetet kyçe që do të garantojë sigurinë dhe besueshmërinë, si dhe pavarësinë energjetike në të ardhmen”, theksoi ajo.
Njësitë e termocentralit të Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë filluar të ndërtohen para më shumë se gjashtë dekadash, nga vitet e 60-ta e deri më sot, vetëm ato kanë garantuar qëndrueshmëri në sigurimin e energjisë elektrike në vendin tonë. Këto termocentrale janë shfrytëzuar përtej kufijve të tyre operativ.