Trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi dhe xhudistët Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova janë bërë pjesë të Ushtrisë Shqiptare me gradën kolonelë, së bashku edhe me shumë sportistë të tjerë elitar nga Republika e Shqipërisë.
Këtë ditë e ka quajtur historike për Ushtrinë Shqiptarë kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama duke shtuar se veçantia e kësaj ngjarje është se në këtë grup janë edhe tri kampionet olimpike nga Kosova, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
Ai ka thënë se tani e tutje këta sportistë do të kenë të njëjtin mision, të njëjtat ambicie dhe vullnete në funksion jo më vetëm të sportit por edhe të forcave të armatosura
“Sot është një ditë realisht historike për sportin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura Shqiptare njëkohësisht sepse sot pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë bëhen një grup sportistësh dhe sportistesh që flamurin kombëtar e kanë ngritur në majën më të lartë në skenën e sportit botëror apo evropian. Dhe është po ashtu një ditë krejt e veçantë sepse në këtë grup bëjnë pjesë edhe tri kampione shqiptare nga Kosova të cilat nga sot e tutje do të jenë bashkë me kampionet dhe kampionët shqiptar nga Shqipëria, nën të njëjtin flamur, për të njëjtin mision me të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuar në funksion jo më vetëm të sportit por edhe të forcave të armatosura.”, tha Rama.
Rama tutje ka kujtuar momentin kur i vizitua vitin e kaluar nga të artat e Kosovës së bashku me trajnerin e tyre Driton Kuka duke theksuar se kërkesa e tyre e vetme ishte që të pajiseshin me pasaportë të Shqipërisë.
“Një nga kujtimet më të bukura të gjithë kësaj periudhe që unë kam pasur dhe kam privilegjin e jashtëzakonshëm dhe nderin e madh të jem në krye të qeverisë dhe ky kujtim lidhet me vizitën që më bën dy kampionet olimpike të Kosovës së bashku me trajnerin e tyre, kryemjeshtrin Driton Kuka në verën e shkuar kur patën mirësinë që unë nuk do e harroj kurrë të vinin së bashku me medalje e tyre të arta dhe e vetmja gjë që kërkuan prej meje ishte që t’u jepej mundësia të bëheshin qytetare të Republikës së Shqipërisë, të merrnin pasaportën kuq e zi të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.