Kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinën, Besnik Bislimi, ka zbuluar detaje nga takimi që pati dy ditë më parë me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Bislimi, në raportimin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, konfirmoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për deklaratën për të pagjeturit dhe se e njëjta pritet të aprovohet në takimin e radhës ndërmjet dy liderëve.
Mes tjerash, zëvendëskryeministri tha se kanë pasur vetëm një vërejtje në tekst dhe e njëjta është pranuar.
“Pika e katërt që është diskutuar ka të bëjë me dakordimin e palëve për personat e zhdukur me dhunë. Teksti aprovohet dhe publikohet nga liderët në takimin e radhës”, tha Bislimi.
Bislimi, tha se në takimin me Lajçakun dhe Petkoviqin u diskutua edhe për takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Takimi më 4 prill ka pas për detyrë qartësimet e mëtejme për hapat që duhet të ndiqen për zbatimin e kësaj marrëveshje andaj edhe sekuencimi ka qenë pika e më e rëndësishme e takimit të 4 prillit”, tha Bislimi.