Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borell ka njoftuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar në lidhje me deklaratën për çështjen e të pagjeturve.
Kjo është bërë e ditur pak minuta më parë.
“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur në takimin e djeshëm të kryenegociatëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”, deklaroi Borrell, shkruan lajmi.net.
Lidhur me këtë kryetari i Komisionit Qeverita për Personat e Pagjetur, Andi Hoti ka thënë më shumë detaje sa i përket marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb. Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishmë, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezentimin e dokumentave serkrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë”, ka thënë Hoti.
Hoti më tutje ka thënë se sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do të publikohen edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate./Lajmi.net/