Është duke vazhduar seanca gjyqësorë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në kuadër të kësaj seance sot është deklaruar pa betim edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Selimi i cili në kuadër të Speciales po akuzohet kinse për krime të kryera gjatë luftës tha se ka pothuajse dy vite e gjysmë që kur u njoftua se ndaj tij është ngritur një aktakuzë nga Dhomat e Specializuara.
“Natyrisht, nuk e prisja. Sido që rrodhën ngjarjet jemi këtu përballë një aktakuzë që me të drejtë vazhdojmë të konsiderojmë të pabazuar mbi fakte dhe argumente. Përballë kësaj sërish deklarohem se s’kam të bëjë asgjë me krimet e pretenduara në këtë aktakuzë. Në fillim të viteve 90 isha student në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filologjik në degën e Letërsisë dhe gjuhës.Në universitetin e Prishtinës u përshkallëzua dhuna. Më kujtohet kur na dëbuan nga konviktet, më 16 mars rreth qendrës së studentëve shihje autoblinda me policës të armatosur që nxirrnin studentët jashtë. S’mund të hyje në konvikte, fakultete e as në bibliotekë.Shqiptarët u larguan nga puna, s’kishte më as policë as mjekë e as postier shqiptarë. Të rinjtë shqiptarë s’mund të luanin as futboll, u mbyll televizioni i vetëm në gjuhën shqipe dhe gazetat e botuara deri atëherë. Dhuna ndaj shqiptarëve përshkallëzohej. Ata dërgoheshin me dhunë për t’u vrarë, siç i vrisnin shumë që i dërguan në ushtri e i kthenin në arkivole të mbyllura.Si sot më kujtohet që Jetulla Deskun e dërguan në ushtri e më pas e kthyen të vdekur në arkivol.Isha në moshën e adoleshencës kur vijoja mësimet në shkollën Luigj Gurakuqi në Klinë, e që ishte patriot shqiptarë, e Serbia dhunshëm ndërroi emrin e shkollës dhe bustin e tij e hodhën zvarrë në lumë.Atë vit filluan t’i helmonin nxënësit e shkollës sime. I shihja moshatarët e mijë duke vuajtur e duke nxjerrë shkumë nga goja nga helmimet misterioze që bënte Serbia ndaj nxënësve shqiptarë. Ky gjah ndaj të rinjve shqiptarë vazhdonte pa ndalur që ata të lëshonin Kosovën. Në fillim të viteve 90 shumë bashkëmoshatarë të mijë u detyruan ta braktisnin Kosovën që aq shumë e donin. Në atë kohë unë kisha dy opsione, të qëndroja në Kosovë dhe të prisja që një ditë mund të helmohesh, të arrestohesha, të vritesha të dërgohesha me dhunë në ushtrinë vrastare serbe apo ta lëshojë edhe unë Kosovën, të shkoja në Gjermani apo në Holandë këtu ku kisha gjysmën e familjarëve të mi, të kërkoja azil si shumë të rinj asokohe”tha Selimi, shkruan lajmi.net.
Ai gjithashtu tha se në mes këtyre dy opsioneve, zgjodhi një rrugë të tretë.
“Në vend që t’i bashkohesha familjarëve të mi në mërgim, unë iu bashkova një familje akoma më të madhe, iu bashkova familjes Jashari në Prekaz. Lash ëndrrat e rinisë, lash studimet e letërsisë dhe u bëra pjesë e UÇK-së. UÇK-ja në atëkohë e kishte emrin ushtri, por nuk numëronte shumë njerëz. Emrin dhe vullnetin e kishim të madh, por njerëz e armë kishim shumë pak. Të ishe pjesë e UÇK-së ishte të ishe armiku i Serbisë dhe mund të vriteshe, apo e pakta të arrestoheshe siç u arrestua vëllau im dhe u dërgua në burgje të tmerrshme serbe, apo siç u arrestua shoku im Besnik Restelica që e mbytën gjatë torturave. Unë tashmë isha kërkuar nga Serbia, më ndiqnin për të më arrestuar, ose edhe për të më vrarë. Në aktakuzën e ngritur ndaj meje ishte edhe vetë Adem Jashari dhe bashkëluftëtarë të tij. Unë s’mund të qëndroja më në familjen time e në shtëpi dhe me dajën tim, Mujë Krasniqi u detyruam që të largoheshim nga shtëpitë tona. Kryesisht nga ajo kohë qëndroja me familjen Jashari dhe jo vetëm. Aty qëndroja me Ademin, Shabanin, Hamzën e fëmijët e asaj familje. Emrat e këtyre fëmijëve të gjithë u vranë pastaj nga një sulm i policisë serbe në familjen Jashari. Më 5 mars 1998 filloi sulmi i Serbisë mbi familjen Jashari dhe ditën e sulmit unë nuk ndodhesha aty, prandaj edhe jam gjallë përndryshe edhe unë do të kisha fatin e atyre që ranë atë ditë në ato tri ditë të njohura si tri ditët e Epopesë së UÇK-së”,tha Selimi.
Selimi theksoi se në ato ditë të rënda për Kosovën, ata vazhduan të rezistonin.
“Ne, shokët e Adem Jasharit që shpëtuam gjallë mbetëm përballë gjithë Serbisë. Ishim shumë pak djem e vajza, bura e gra të armatosur shumë dobët e të paunifrmuar e të paorganizuar. Mbetëm luftëtarë pa komandant, e krejt çka mund të bënim ishte të ndiçnim rrugën e Jasharit, e të luftonim deri në fitore.Në ato ditë të rënda për Kosovën, vazhduam të rezistonim, siç dinim e siç mundeshim”./Lajmi.net/