Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, mendon se pas marrëveshjes së Ohrit vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Ajo ka bërë me dije se shef i ekzekutivit me këtë marrëveshje ka shkelur të gjitha zotimet që i kishte dhënë para votuesve të tij.
Musliu-Shoshi ka vlerësuar se rruga më e mirë do të ishte që Kurti kthej mandatin tek qytetarë dhe në zgjedhje të përballet me votuesit e tij.
Megjithatë, ajo nuk e pret që një gjë e tillë të ndodh. Sipas saj, pavarësisht shkeljeve të primeve, Kurti do të bëj gjithçka për të qëndruar në pushet.
Anëtarja e Komisionit për Politikë të Jashtme ka folur edhe për dyvjetorin e Qeverisë Kurti.
Deputetja e PDK-së ka vlerësuar se kjo qeveri do të mbahet mend për shkelje të secilit premtim dhe të secilit parim, në këtë intervistë për Nacionale.
Znj. Musliu-Shoshi, tashmë Qeveria Kurti i ka bërë dy vite. Cili është vlerësimi i juaj për këtë qeveri?
Musliu-Shoshi: Kjo qeveri ka ardhur në pushtet me premtime shumë dhe me zgjidhje për secilin problem që qytetarët e vendit kanë – ju kujtohet se si Kurti opozitar madje i tregonte edhe me cent sa do të bëhen çmimet në qeverisjen e Vetëvendosjes.
Mirëpo, në këto dy vite, është treguar që kjo qeveri as nuk di e as nuk do t’i zgjidhë hallet e qytetarëve. Janë tërësisht të shkëputur nga realiteti! Këto dy vite të kësaj qeverie mund të përmblidhen në: shumë fjalë e aspak punë, shkelje të Kushtetutës, dialog pa parime e me autonomi për serbët, ulje pagash e rritje çmimesh, prishje të marrëdhënieve me aleatët, dhe shkarkim ambasadorësh pa kriter për të mbrojtur skandalin në rastin Berishaj nga i gjithë aparati shtetëror.
Për çka mendoni se do të mbahet mend kjo qeveri?
Musliu-Shoshi: Për shkelje të secilit premtim e të secilit parim.
Nëse e krahasojmë me qeveritë e kaluar, ka ndonjë dallim qeveria Kurti?
Musliu-Shoshi: Qeveritë e kaluara kanë pasur të meta, por edhe janë kryer punë. Mos të harrojmë, Kosova që e kemi sot, me infrastrukturën më të mirë në rajon, paga më të mira krahasuar me rajonin dhe rritjen më të madhe ekonomike krahasuar me të gjithë fqinjët tanë, e kemi falë atyre qeverive të kaluara.
Qeveria aktuale i ka bllokuar të gjitha investimet kapitale, ndërkohë që inflacioni është në nivelet më të larta. Nuk ka asnjë zhvillim e asnjë investim. Ndërkohë, retorika boshe e plotë rima e kryeministrit dhe vartësve të tij mundohet të na e paraqes një realitet inekzistent, gjoja se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë. E vërteta është se përpos urës së famshme tanimë të Saradranit, kjo qeveri nuk i ka ofruar asgjë qytetarëve të këtij vendi.
Ndërkaq, fusha të cilën unë e mbuloj më së shumti – politika e jashtme – është në gjendje të mjerueshme. Ministrja jonë e Punëve të Jashtme vizitat e vetme që i zhvillon janë tek familja e saj në Gjermani, dhe tash vonë e pati një vizitë në Portugali e dje në Belgjikë. Pjesën tjetër të botës, kryediplomatja jonë e përcjellë nëpërmjet Atlasit. Pra, kaq është politika e jashtme e Kosovës, ndërkohë që Shërbimi i Jashtëm vazhdon të mbetet jofunksional për shkak të gjuetisë së shtrigave që Gërvalla e ka filluar brenda që nga marrja e mandatit.
Kryeministri Kurti tashmë e ka pranuar Planin e BE-së dhe aneksin e marrëveshjes. Cili është vlerësimi i juaj për marrëveshje?
Musliu-Shoshi: Ky plan, tashmë i pranuar nga ana e kryeministrit Kurti, vërtetë përbënte bazë të mirë, siç thoshte edhe vetë kryeministri. Mirëpo, baza e mirë do të nënkuptonte që Qeveria e Kosovës do të mund të arrinte të ndërtonte tutje mbi atë plan.
Marrëveshja aktuale nuk e sjellë njohjen e Serbisë, siç dikur trumbetonte Albin Kurti opozitar që dialog pa njohje s’do të ketë, ndërsa Asociacionin të cilin kjo klasë qeverisëse e ka kundërshtuar edhe me dhunë, jo që e realizon, por ka rrezik t’i jap deri në autonomi serbëve në Kosovë, duke u bazuar në pikën 7 të kësaj marrëveshjeje.
Asociacioni i nënshkruar në 2013 e 2015, nuk parasheh autonomi për serbët dhe nuk e cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Ndërsa, vetëmenaxhimi i cili buron nga kjo marrëveshje, me vetë faktin që i jep ekskluzivitet entitetit për të bërë ndërlidhjen mes komunitetit serb dhe qeverisë, në thelb përbën nivel të tretë pushteti, i cili mund të financohet nga Serbia.
Në këtë aspekt, konsideroj se kjo marrëveshje është më e dëmshme se sa implementimi i marrëveshjes së vitit 2015, për të cilën garant është Gjykata Kushtetuese.
Marrëveshja nuk parasheh njohjen reciproke, ndonëse kryeministri Kurti e kishte premtuar një gjë të tillë. A ka mundur që marrëveshja të jetë më e mirë?
Musliu-Shoshi: Padyshim se marrëveshja ka mundur të jetë më e mirë, mirëpo një kryeministër që nuk koordinohet me aleatët e vendit e ndërmerr veprime të njëanshme, nuk ka mundësi të sjellë marrëveshje më të mirë.
Cili mendoni se është problemi kryesor i kësaj marrëveshje?
Musliu-Shoshi: Përpos mosnjohjes, problem kryesor janë kompetencat shtesë që serbët do t’i marrin, e të cilat kanë potencial për ta ndryshuar rendin kushtetues të vendit, pasi që krijohet një shtresë e re e pushtetit. Atëherë, njëmend fillon “bosnjëzimi” i Kosovës.
Meqenëse pranimi i kësaj marrëveshje është në kundërshtim më atë që ishte zotuar Kurti më herët, a mendoni se janë të nevojshme zgjedhjet e reja?
Musliu-Shoshi: Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtime konkrete sa i përket dialogut. Na është thënë që Asociacioni assesi s’do të formohet ndërkaq dialogu me Serbinë do të bëhet vetëm pas kërkim-faljes, njohjes, reparacioneve dhe kthimit të të pagjeturve. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur. Prandaj, kryeministri Kurti do të ishte mirë që ta kthej mandatin tek qytetarët dhe të përballet me votuesit e tij, të cilët i ka mashtruar.
Mirëpo, unë nuk pres që një gjë e tillë të ndodhë, Albin Kurti e ka dëshmuar tanimë që gjithë gënjeshtrat e mashtrimet nder vite i ka bërë vetëm për të ardhur në pushtet.
Ai tanimë i ka shkelur të gjitha parimet e tij, dhe atë pa iu trembur syri.
Shpalljen e zgjedhjeve mund ta bëj vetëm një njeri parimor, e Albin Kurti nuk është tillë. Në asnjë formë ai s`do ta rrezikonte karrigen e tij dhe xhipat e zi – të cilët e mbajnë lartë nga votuesit e tij – për të lejuar qytetarin të vendos për diskrepancën në mes fjalëve dhe veprimeve të njeriut që udhëheq me ekzekutivin e vendit.