Mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Musa Damati deklaroi se mbrojtja qëndron në tërësi pranë kundërshtimeve të deponuara. Po ashtu, shton se kjo aktakuzë nuk i përmbush kërkesat bazike ligjore, është në vete kundërthënëse dhe e paqartë dhe se pika 1 dhe 2 aktit akuzues nuk ka arritur që të përshkruajë saktë dhe në mënyrë koncize se në çfarë vendi, mënyre dhe kohe dhe cilat janë veprimet inkriminuese të të mbrojturit tim, ish ministrit Pal Lekaj.
Në deklarim të tillë, avokati Damati e ka bërë të premten në seancën e shqyrtimit të dytë derisa Pal Lekaj tha se nuk ka asgjë për të shtuar, por se e mbështet qëndrimin e mbrojtësit të tij.
Avokati Damati tha se është me interes krucial se akti akuzues i kundërshtuar nuk ka arritur që të zgjidhë misterin e asaj se ku kanë mbetur ose ku ka përfunduar 53 milionëshi i famshëm, në llogari të kujt kanë shkuar, në llogari të të mbrojturit tim asesi jo.
Sipas tij, ky akt akuzues nuk ka arritur as të bëjë gjurmimin e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Projekti i autostradës “Arbën Xhaferi”, sipas tij është themeluar dhe ka filluar me vendimin e Qeverisë nr.06/78 të datës 12 qershor 2012, pra shumë kohë para se klienti im, ish-ministri Lekaj të merrte përgjegjësitë dhe mandatin e tij si ministër. Po ashtu, e gjithë rrjedha e procedurës nga i mbrojturi im, është procesuar përmes komitetit drejtues ndërministror, i cili nuk ka qenë i përbërë vetëm nga ministri i infrastrukturës, por nga gjithsej 5 ministra”, ka thënë avokati Damati.
Më 4 maj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në rastin e “53 milionë eurove”.
Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare përveç Pal Lekajt janë edhe Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë Lekajt dhe të tjerëve në rastin e 53 milionëve të autostradës.
Tutje, avokati Damati ka thënë se kontrata e cila është objekt i aktit akuzues është nënshkruar me konsorciumin “Bechtel Enka” është nënshkruar më 1 korrik 2014, shumë kohë para se klienti i tij të merrte mandatin e ministrit.
“Puna dhe procedimi i vendimmarrjes në këtë çështje ka qenë kolegjiale dhe jo individuale, ashtu siç pretendon Prokuroria. Ka qenë vendimmarrje në procedurë të hapur të votimit, për të cilat ekzistojnë transkripte”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Damati, i mbrojturi i tij, si konsekuencë e veprimeve të trashëguara nga paraardhësit e tij, nga qeveritë e kaluara, ka qenë në një situatë, në të cilën do të kishte rrezikuar arbitrazhin për Republikën e Kosovës dhe në këtë mënyrë vepra penale për të cilën ngarkohet, keqpërdorimi i detyrës apo autoritet zyrtar, do të mund të manifestohej edhe me mos veprim, duke i kushtuar buxhetit të shtetit edhe më tepër.
“Kërkesat e vazhdueshme të konsorciumit dhe kërkesat për shtyerje të alokimit të mjeteve janë bërë jo nga klienti im, por nga Ministrat e Financave të mandateve të kaluara”, ka thënë ai.
Qeveritë e kaluara nuk kanë ekzistuar pagesat me kohë, sipas Damatit, dhe si rrjedhojë ai tha se klienti i tij është sjellë në një situatë ku është dashur që si ministër, në bazë të kompetencave ligjore dhe si kryesues i komitetit ndërministror, të luajë rol vendimmarrës.
Ai tha se Lekaj nuk e ka autorizuar transaksionin e 53 milionë eurove, por Komiteti Ndërministror, në harmoni me kornizën ligjore, ka proceduar rekomandim dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhje të hapur për publikun dhe me shumicë votash merr vendimin më 5 qershor 2018. Pra, autorizimi i 53 milionëve të famshme nuk është bërë nga klienti im, por konform kornizës ligjore është proceduar për shqyrtim të mëtutjeshëm tek organet më të larta, që edhe kanë vendosur për këtë çështje sipas legjislacionit në fuqi.
Sipas avokatit Damati, klienti i tij, përmes veprimeve sipas ligjit e ka shmangur konstitutimin e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke mos i ikur assesi përgjegjësisë dhe vendimmarrjes së tij si ministër, sepse kjo vepër do të mund të manifestohej, në të kundërtën edhe me mos veprimin e tij.
“Konsiderojmë se po ashtu, përveç tjerash, në këtë çështje penale juridike është tejkaluar edhe afati i hetimeve nga organi i akuzës dhe rastin e zgjerimit dhe kërkesës për vazhdim të hetimeve”, ka deklaruar avokati mbrojtës.
Po ashtu, ai shtoi se nuk ka prova të mjaftueshme, se i mbrojturi i tij ka kryer veprës penale që i vihet në barrë dhe kjo edhe për shkak të mos përshkrimit të veprës penale konform ligjit.
“Edhe dispozitivi i aktakuzës nuk ka arritur assesi që të provojë veprimet konkrete përmes të cilave do të mund të konstituohej figura e veprës penale për të cilën ngarkohet i mbrojturi im”, ka shtuar Damati.