Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, do të udhëtojë sot drejt Hagës për t’i takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur para disa ditësh këshilltari i tij, Ilir Kërçeli, i cili ka njoftuar se do të udhëtojë bashkë me të.
“Bashkë me kryeparlamentarin Konjufca më 17 qershor udhëtojmë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë”, shkroi ai.
Para disa ditësh, Konjufca tha se Specialja po ua shkel të drejtat ish-krerëve të UÇK-së.
“Shkojmë si institucione që përfaqësojmë republikën tonë. Shkojmë që të shohim si trajtohen. Duket qartë se në disa aspekte ata apo shkelin të drejtat e tyre. Ata po i afrohen kohës 2-vjeçare të paraburgimit dhe s’është bërë asgjë. Nuk u është siguruar as mbrojtja e tyre në liri. Jemi të shqetësuar si institucione. Do flasim me zotërinjtë Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli për këto çështje”, ka deklaruar Konjufca.