Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka vlerësuar institucionin që ai e drejton si shtyllë kryesore të ekonomisë kosovare. Ndërsa parashikimi i tij për rritjen ekonomike pritet të jetë rreth 3.2 për qind, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, Mehmeti ka folur për të arriturat si guvernator i BQK-së përgjatë 5 viteve në krye të saj, duke thënë se sistemi financiar në vend ka pasur sukses dhe rritje të vazhdueshme.
“Komunikimi me media ka qenë një faktori shumë i rëndësishëm dhe do te vazhdoj edhe në të ardhmen. Me gjithë vështirësitë që jemi ballafaquar si institucion jam i lumtur që 5 vitet e fundit BQK ka siguruar një sistem financiar stabil dhe të jetë një nga shtyllat kryesore të individëve dhe ekonomisë. Që nga marsi i 2018-ës kemi arritur që me sukses të përmbushim rolin tonë, sistemi financiar në vend gjatë kësaj periudhe ka pasur sukses dhe rritje të vazhdueshme”, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti ka folur edhe për rritjen e kredive dhe të depozituesve. Përkundër pandemisë dhe agresionit rus në Ukrainë, Mehmeti ka thënë se BQK-ja ka arritur ta ruajë ekonominë vendëse dhe sektorin financiar.
“Rritja e kredive është mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave. Gjatë kësaj periudhe të pandemisë kemi arrit që të ruajmë ekonomin e vendit edhe sektori financiar. Në si BQK kemi arrit që të ruajmë sektorin dhe ekonomin e vendit. Gjatë periudhës së pandemisë dhe agresionit rus arritëm që ta ruajmë sistemin financiar dhe ekonomin e vendit. Sektori i sigurimeve ka qenë një prej sektorëve me problematik, që nga marrja e mandatit kam vendosur që të merrem më të. Për ndonjë gjë që ndihem krenar është zgjidhja e problemeve të sektorit të sigurimeve”, ka thënë Mehmeti para gazetarëve.
Në fund Mehmeti tha se përparësi si institucion do t’i japin edhe mbrojtjes së konsumatorëve, me ç’rast tha se deri në nëntor të vitit të kaluar kanë arritur 810 ankesa.
Mehmeti dha edhe një parashikim për rritjen ekonomike për këtë vit. Sipas tij, kjo rritje do të jetë rreth 3.2 për qind.
“Ju e dini që pandemi ka qenë një prej faktorëve qe ka ndikuar rritjen e aktivitetit ekonomik negativisht më vend, ku patëm një rënie ekonomike gjatë pandemisë prej 5,2 për qind, pas pandemisë kemi një rritje të theksuar ekonomike me 10.75 për qind edhe këtë vit kemi rritje ekonomike dhe vlerësimet tona janë që do të jetë rritje në 3,2 për qind, e ndikuar prej shumë faktorëve edhe masave të marra nga qeveria e Kosovës”, tha ai.
Mehmeti ka folur shkurt edhe për mospërfshirjen e tij si guvernator i BQK-së. Tha se kjo i takon institucioneve por që do ta respektojë çdo vendim.
“Kjo çështje i përket panelit, komisionit, Kuvendit presidentes e kështu me rend, çfarëdo vendimi që do të merret unë jam për ta respektuar”, tha ai.