Bashkimi Evropian ka shrpehur keqardhje për ndryshimet në Ligjin penal në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, përmes të cilit shpifja bëhet vepër penale.
Sipas Bashkimit Evropian, këto ndryshime do të vendosin kufizime të panevojshme dhe disproporcionale për lirinë e mediave dhe shoqërinë civile.
Bashkimi Evropian, në një komunikatë të lëshuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) rikujton se, kur Bosnjë e Hercegovinës iu dha statusi i kandidatit, u definuan edhe hapat që duhet të administrohen, në mesin e të cilëve janë edhe forcimi i lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.
“Vendimi i sotëm është qartë një hap në drejtim të gabuar dhe ka efekt dëmtues në lirinë e mediave në Republikën Sërpska. Në të njëjtën kohë, vë në dyshim edhe përkushtimin strategjik të partisë në pushtet në Republika Sërpska për integrimin e Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e BE-së.
BE-ja tërheq vërejtjen se, nëse ky ligj në fund miratohet, do të paraqesë një goditje të rëndë për mjedisin e veprimit të shoqërisë civile, lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe shënon hap mbrapa në mbrojtjen e të drejtave themelore.
“BE-ja i bën thirrje entitetit Republika Sërpska që ta tërheqë këtë ndryshim dhe të sigurojë mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mediave”, thuhet në komunikatë, ku ndër tjerash BE-ja ia rikujton Bosnjë e Hercegovinës se duhet t’i respektojë prioritetet të cilat i ka caktuar Komisioni Evropian në mendimin për statusin e kandidatit për këtë shtet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes.
Ashpërsimi i Ligjit penal për të ndëshkuar gazetarët në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës shihet nga diplomatët në BE si një tentim i liderit të këtij entiteti, Milorad Dodik, për të heshtur mediat kritike ndaj tij.
Të enjten, më 23 mars, Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska miratoi, në fazën e parë, një ligj që parashikon gjoba të larta për shpifje, gjë që shkaktoi shumë kritika nga punonjësit e medias dhe sektori joqeveritar.
Projektligji penal, i cili parashikon kriminalizimin e shpifjes, pasi miratohet si draft, kalon në një diskutim publik dymujor dhe më pas kthehet në Kuvend në formë propozimi.
Nëse Asambleja më pas miraton propozimin për ndryshimin e Kodit Penal, ai shkon në Këshillin e Popullit të Repubikës Sërbska për votim.
Projektligji për shpifjen parasheh gjoba nga rreth 2.500 deri në 60.000 euro.
Dënime më të larta parashikohen në rastet kur shpifja është paraqitur në media, përfshirë rrjetet sociale.
Dënimet më të larta parashikohen për ata që “ekspozojnë publikisht tallje ose përbuzje” ndaj një personi ose grupi, për shkak të përkatësisë së një race të caktuar, ngjyrës së lëkurës, fesë, kombësisë ose për shkak të origjinës etnike, orientimit seksual ose identitetit gjinor.
Partitë opozitare kërkuan tërheqjen e draftit, duke paralajmëruar se ai, para së gjithash, është një ligj represiv.
Në të njëjtën ditë, më 23 mars, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar një projektligj, përmes të cilit u kërkon organizatave jofitimprurëse të financuara nga jashtë që veprojnë në njësinë serbe të Bosnjës, të regjistrohen dhe të raportojnë për punën e tyre./rel