Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në 25-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, ku nga atje tha se pas rezistencës së pashembullt të Jasharëve në Prekaz, erdhi edhe qëndresa e fuqishme e familjes Haradinaj e Mehmetaj më 24 mars 1998.
Kurti tha se mesazhi që Serbia fashiste nga kulla e bacës Hilmi ishte “nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk mposhtet Kosova”.
Kreu i qeveri kujtoi pozicionet që kishin marrë ushtarët aso kohe në mbrojtje të vendit.
Kurti: Familja Haradinaj e di vlerën e lirisë
Në shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se familja Haradinaj e di vlerën e lirisë dhe të ushtrisë. Ai tha të premten se familja Haradinaj është familje dëshmorësh e kombit shqiptar.
“Familja Haradinaj ia di vlerën lirisë dhe ushtrisë. Është familje e dëshmorëve të kombit me gjeneral nga lufta. Ushtria është pjesë e paanshme e kësaj familjeje. Sot me ushtrinë tonë e kemi Luanin toger, i cili me zell e përkushtim i shërben atdheut në uniformen e FSK-së. Duke kujtuar UÇK-në, duke zhvilluar FSK-në, mbrojmë Republikën, përparojmë kombin, i kontribuojmë Evropës”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, bombardimet e NATO-s e ndalën gjenocidin e regjimit fashist të Slobodan Milosheviqit.
“Në aspektin politik, Bill Clinton, në atë diplomatik Madeleine Albright, në atë informues James Rubin, në atë ushtarak Wesley Clark. Bombardimet e ndalën gjenocidin ndaj kombit shqiptar nga regjimi fashist i Millosheviqit. Ky akt i dha mbështetjen të fuqishme vendit tonë jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në konfirmimin e fuqishëm se e drejta ishte në anën tonë dhe Serbia ishte agresori i cili po kryente gjenocid mbi popullin e Kosovës”, u shpreh ai.
Para kësaj ceremonie Kurti, bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Pas homazheve, kryeministri Kurti ka shkruar edhe në librin e përkujtimeve, ku është shprehur se dëshmorët janë dëshmia historike e popullit shqiptar “për të jetuar në paqe në vendin e vet”.
Homazhe në Gllogjan ka bërë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
25-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, Haradinaj bën homazhe në Gllogjan
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s.
Homazhe ne këtë memorial kanë bërë edhe pjesëtarë të FSK-së.
Shënohet 25-vjetori i Epopesë së Dukagjinit
Sot bëhen 25 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, që ndryshe njihet Epopeja e Dukagjinit.
Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete, e cila njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kabinetin qeveritar nga ora 11:30 bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ndërsa nga ora 11:40 Kurti, viziton familjen Haradinaj.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.
Synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj./21Media