Në 24-vjetorin e sulmeve të NATO-s ndaj caqeve të Serbisë, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se populli i Kosovës do t’u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s dhe misionit ushtarak KFOR për gjithçka çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për lirinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, të cilat për 78 ditë të udhëhequra nga SHBA-të, i dhanë fund spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Sot mbushen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë agresore. Nën komandën e Gjeneralit Wesley Clark, fushata bombarduese 78-ditore e Aleancës Veriatlantike në krye me SHBA-në, i dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë”, ka thënë Konjufca.
“E nga qielli i përflakur shkëlqeu liria”, është shprehur tutje ai.
Në këtë 24-vjetor të sulmeve të NATO-s, Konjufca ka thënë se populli i Kosovës do t’u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të Aleancës së NATO-s dhe misionit ushtarak KFOR për gjithë çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për lirinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.
Kryeparlamentari Konjufca, nëpërmjet një postimi në Facebook, është shprehur se 24 vjet më pas, Republika e Kosovës e ndërtuar mbi themelet e luftës çlirimtare të UÇK-së, martirizimit të popullit tonë dhe ndihmës ushtarake të NATO-s, është shtet demokratik, sovran dhe i pavarur.
Ai ka thënë se Kosova shembulli më i mirë në Ballkan, Evropë e më gjerë, për jetën e lirë të qytetarëve të barabartë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve pakicë.
Po ashtu, ai ka shtuar se gjatë këtyre viteve të pasluftës, Republika e Kosovës ka shënuar përparime të dukshme në të gjitha fushat dhe përbën sot një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajon.
Sipas tij, shteti me mbështetjen e miqve dhe aleatëve të shtetit të përhershëm, është i vendosur të avancojë në proceset integruese dhe të mbrojë me çdo kusht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues në çdo pjesë të shtetit tonë.