Policia e Kosovës të enjten kishte arrestuar kryetarin e Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe katër aktivistë të tjerë rreth orës 17:10 në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, të cilët më pas janë liruar.
Në raportin e Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se gjatë realizimit të urdhërarrestit ndaj Dardan Molliqajt, zyrtarët policorë janë penguar nga disa persona të tjerë me ç’rast kanë pësuar lëndime trupore tre zyrtarë policorë.
Tutje në raport, thuhet se lidhur me rastin janë arrestuar pesë persona të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Është raportuar se gjatë realizimit të urdhërarrestit ndaj të dyshuarit mashkull kosovar, zyrtarët policor janë penguar nga disa persona të tjerë me ç’rast kanë pësuar lëndime trupore tre zyrtar policorë. Lidhur me rastin janë arrestuar pesë persona meshkuj kosovarë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Ndryshe, Molliqaj ishte arrestuar në bazë të një urdhërarresti të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi i njëjti nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore të mërkurën (15 qershor 2022), për çfarë ka dështuar sërish të nis gjykimi në rastin ku bashkë me Fatos Sahitin ngarkohen për përleshjen fizike mes tyre dhe deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, pas një debati televiziv më 2019, transmeton Telegrafi.