Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës nën udhëheqjen e presidentit Agim Ademi, nënkryetarit Bakir Burri dhe sekretarit të përgjithshëm, Taulant Hodaj, ndodhet në Kigali të Ruandës për të marrë pjesë në Kongresin e 73-të të FIFA-s, i cili do të mbahet të enjten. Siç dihet, ky kongres është zgjedhor, me presidentin aktual, Gianni Infantino, si kandidatin e vetëm për mandatin e ri katërvjeçar.
Krerë të të gjitha federatave janë takuar në kuadër të këtij kongresi, teksa presidenti Agim Ademi dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka janë takuar edhe me presidentin e Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc. Ky i fundit shprehu kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e mira mes dy federatave dhe për rolin e rëndësishëm që FFK ka në futbollin ndërkombëtar.
Blanc në një intervistë të fundit për gazetën zvicerane “Blick”, duke folur për grupin kualifikues ka thënë se përballja me Kosovën është një duel mes miqsh. Ai ka thënë se në Zvicër ekziston një komunitet i madh kosovar, i cili është shumë mirë i integruar. Ai po ashtu ka përmendur faktin se pjesë e kombëtares së Zvicrës janë edhe disa lojtarë me rrënjë nga Kosova. Blanc ka thënë se Zvicra dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të ngushta në të gjitha nivelet dhe sipas tij kjo është arsye që dy ndeshjet kualifikuese kundër Kosovës i sheh jo vetëm si garë sportive por edhe si festë.
E në takimin e tyre të sotëm, presidenti Ademi e falënderoi presidentin Blanc për vlerësimin e tij ndaj FFK-së dhe për kujdesin që ai ka treguar për ekipin tonë kombëtar. Ai shprehu shpresën se përveç ndeshjes kundër Zvicrës, bashkatdhetarët tanë që jetojnë atje do të kenë mundësinë t’i shohin lojtarët tanë edhe në Kampionatin Evropian 2024, që do të mbahet në Gjermani, ku po ashtu kemi komunitet të madh të bashkatdhetarëve.
Presidenti Ademi gjithashtu theksoi se, në përgjithësi, ky takim ishte një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes tri federatave të futbollit.
Kreu i FFK-së shprehu shpresën që Kosova e Zvicra do të kualifikohen bashkërisht në Euro 2024, teksa uroi që një sukses të tillë ta arrijë edhe Kombëtarja e Shqipërisë.
Ai tha se FFK është duke punuar maksimalisht në këtë drejtim për arritjen e suksesit historik, teksa përmendi edhe formën e mirë që po kalojnë futbollistët në klubet e tyre.
Do theksuar se para Kongresit të FIFA-s, në Kigali, do të mbahen edhe shumë sesione tjera, në mesin e të cilave edhe takimi i UEFA-s me federatat e saj anëtare, derisa delegacioni i FFK-së do të ketë edhe takime me delegacione të federatave tjera.