Përfaqësuesit e partive opozitare në Serbi, të Dverit, Zavetnikut dhe koalicionit NADA kanë bërë thirrje sot në protestë kundër pranimit të planit evropian për Kosovën, e cila pritet të mbahet më 17 mars.
Përfaqësuesja e Dverit, Radmila Vasiq, u tha gazetarëve në Beograd se nëse Bashkimi Evropian (BE) vazhdon të insistojë në zbatimin e planit evropian, të cilin ajo e quajti ultimatum, Dveri do ta konsiderojë atë një shenjë të spastrimit të ri etnik të serbëve nga Kosova, raporton agjencia serbe e lajmeve ‘Beta’, përcjell Demokracia.com.
Ajo ka deklaruar se është në kontakt të përditshëm me serbët në Kosovë, për të cilët pretendon se nuk janë të sigurt.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të premten e ardhshme, më 17 mars, të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes protestës.
Përfaqësuesi i koalicionit NADA, Predrag Marseniq, tha se tubimi reflekton si “mbrojtje të Kosovës në kuadër të Kushtetutës”.
Siç tha ai, partitë opozitare t’u tregojnë qytetarëve me protestë se janë kundër nënshkrimit të asaj marrëveshjeje dhe se “duhet” të jenë kundër saj.
Përfaqësuesja e Zavetnikut, Dragana Miljaniq, tha se shumica e mediave pro regjimit nuk e prezantojnë përmbajtjen e atij plani evropian.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi është shprehur i zhgënjyer me kundërshtimet opozitare që po i bëhen planit franko-gjerman nga opozita në Kosovë dhe Serbi. I njëjti, ditë më parë, ka bërë thirrje që të rrallohen deklaratat kundërshtuese të planit evropian.