Publicisti dhe gazetari kosovar, Baton Haxhiu, e ka vazhduar serinë e kolumnëve të tij, përmes të cilave po i thumbon krerët e politikës kosovare. Pas presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti, Haxhiu në kolumnën e tij të radhës e ka shënjestruar shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lilën.
Haxhiu në shkrimin e tij thotë se në gjithë këto vitet e pasluftës është një gjë që s’ka ndryshuar, dhe sipas tij, ajo është Mimoza Kusari. Gazetari kosovar thotë se Kusari-Lila ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të qenë në vëmendje, për të pasur pushtet dhe për t’u pasuruar.
Teksa e thotë një gjë të tillë rreth dëshirës për vëmendje të Kusari-Lilës, Haxhiu përmend një intervistë 60 sekondëshe të ish-ministres të dhënë në “Prive” vite më parë, në të cilën ajo pranon të flasë edhe rreth asaj se a fle me apo pa të brendshme.
Haxhiu thotë se dëshirën e saj për vëmendje e dëshmon edhe fakti se Kusari-Lila ka qenë pjesë e të gjitha partive politike, si ARK, PDK, LDK , e së fundi edhe në Lëvizjen Vetëvendosje.
Gazetari Haxhiu thotë se bredhjen e saj politike e refuzuan edhe gjakovarët ne zgjedhjet e fundit lokale, derisa shton se refuzon të flasë për “Alternativën”, parti të cilës Baton Haxhiu i referohet si “kolibe politike” pa identitet e karakter.
Teksa flet për rrugëtimin politik të Kusari-Lilës dhe përfundimin e saj në Vetëvendosje, Haxhiu thotë se ajo sot s’përfaqëson më shumë se “shitjen e lirë” për të “shpërlarë” emrin e saj në “prehrin politik” të Albin Kurti.
Pjesë nga kolumna e Baton Haxhiut:
Nëse ka diçka që s’ka ndryshuar në këto njëzet e dy vitet e pasluftës, është pjesëmarrja e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, znj. Mimoza Kusari, në të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë.
Qëkur nxori krye në jetën publike në Kosovë, si zëdhënëse e dobët dhe e verbër e Qeverisë së Bajram Rexhepit, ajo u bë e njohur për mendimin jashtëzakonisht sipërfaqësor dhe dëshirën e papërmbajtshme për vëmendje, pasurim dhe pushtet.
Paragjykim?
Mjafton ta shohësh intervistën e saj 60 sekondëshe në PRIVE, në të cilën, dikur zëvendëskryeministrja, Ministrja e Tregtisë e Industrisë dhe pastaj kryetarja e Komunës së Gjakovës, flet edhe nëse i pëlqen të bëj gjumë me apo pa të brendshme. Aty del sheshit obsesioni narcistik i saj, për të qenë në qendër të vëmendjes. Ajo nuk njeh kufij. Përjashto rastet kur fshihet kokëulur, për të mos folur për veprat “e dyshuara” korruptive të saj.
Natyrisht, fakti që ajo nuk kursen asnjë mjet për të përmbushur dëshirën e saj për pushtet, duket tek martesat e saj të njëpasnjëshme politike me AKR-në e Behgjet Pacollit, LDK-në e Isa Mustafës dhe PDK-në e Hashim Thaçit.
Pra, ajo ka bredhur politikisht në çdo skaj të kundërt ideologjik në Kosovë, vetëm për ulëse dhe për lekë. Atëherë kur edhe Gjakova e saj e kuptoi se është një përvetësuese perfide fondesh, një grua me cene morali publik dhe një gënjeshtare patologjike, ajo u dëbua me votë të lirë qytetare nga pozita e kryetares së komunës.
Në të vërtetë, një prej zhvillimeve më domethënëse politike në zgjedhjet e fundit lokale ishte pikërisht refuzimi i Gjakovës për ta pranuar riciklimin e një dështakeje në krye të komunës. Unë, personalisht, ndërkaq, refuzoj të bisedoj për historinë e saj me hapjen e kolibës së saj politike, partizës pa identitet e karakter të quajtur Alternativa.
Mimoza Kusari sot nuk përfaqëson asgjë më shumë se shitjen e lirë, për ta shpëlarë pak emrin, në prehrin politik të Albin Kurtit. Dhe pyetja që shtrohet është: pse një grua e tillë gëzon hapësirë publike në Kosovë?
Përgjigja është e thjeshtë: jo për zellin dhe dëlirësinë e vallëzimit rrëzë dunave, por për gatishmërinë që ka për t’i shërbyer pushtetit të Albin Kurtit.