Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kundërshtuar ngritjen e tarifave për 14 për qind nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj në një konferencë për media e ka quajtur vendim absurd paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Vendim absurd e shok lajm për të gjithë qytetarët e bizneset. E paarsyeshme dhe jo e pranueshme për të gjithë. Si është e mundur duke marrë parasysh subvencionet e ndara nga qeveria vitin e kaluar për zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimit të energjisë, nuk shihet e arsyeshme te ketë rritje të dytë të çmimit dhe aq më pak të ndodhë të ketë rritje në vlerë prej14%. Madje ne kemi pritur ulje apo kthim të çmimit të tarifave të vjetra, e jo rritje të dytë”, është shprehur ai.
Lekaj ka paralajmëruar edhe protesta nëse është e nevojshme që kjo të mos ndodhë.
Kundër rritjes së çmimit të rrymës gjatë ditës së djeshme ka dalë edhe PDK.
Gjatë kësaj jave edhe Presidenca e Kosovës në komentet e dërguara në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ka dalë kundër shtrenjtimit të rrymës, ku siç është paralajmëruar nga 1 prilli i këtij viti, do të hyjnë në funksion faturat e reja.
Në këto komente, Presidenca shpreh shqetësimin për ndikimin eventual socioekonomik të këtij vendimi, që sipas tyre do t’i shkaktonte barrë qytetarëve të Kosovës, në veçanti grupeve të cënueshme të shoqërisë, pensionistëve, nënave vetushqyese, skemave sociale.