Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi si dhe Ardian Krasniqit dhe Marigonë Berishës, duke i dënuar me 5 vite e dy muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.
Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, u lirua nga akuzat.Aktgjykimi ndaj katër të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetari i trupi gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Lavdim Krasniqi për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë. Dënimi me burgim, të akuzuarit Krasniqi me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë.Ndërsa, u lirua nga akuza për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Kurse, Marigonë Berisha u dënua me 5 mijë euro gjobë për “Falsifikim i dokumenteve”. Të njëjtës, do t’i kthehet vetura e sekuestruar.
Sipas aktgjykimit, Ardian Krasniqi u dënua me 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë për “Falsifikim të dokumenteve”, kurse për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” me 4 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Ndaj tij, u shpall dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë.Në këtë dënim, të akuzuarve do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Në rast se nuk e paguajnë dënimin me gjobë, i njëjti iu zëvendësohet në dënim me burgim.Të akuzuarit Ardian Krasniqi, iu shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit në administrate apo shërbime publike, në kohëzgjatje prej 2 vitesh, pas ekzekutimit të dënimit.
Ndërsa, Flora Doda u lirua nga akuzat.Të akuzuarit obligohen që në emër të paushallit gjyqësor secili veç e veç të paguajë shumën prej 200 euro dhe nga 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.
Ndryshe, trupi gjykues ndërpreu shqyrtimin gjyqësor më 6 shkurt 2023, pasi prokurori i çështjes Zejnullah Gashi kërkoi nga gjykata që të vendos pa presion të publikut, teksa përmendi tentativat për interferim në këtë çështje penale. Gjykata vlerësoi se nuk mund të vazhdohet tutje dhe se lidhur me pretendimet e prokurorit do të njoftohet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për të vlerësuar edhe njëherë pretendimet e tij, nëse ka pasur tentime për interferime apo presion edhe nëse deklarimi i prokurorit ka të bëjë me shkelje të Kodit të Etikës nga ana e prokurorit.Ndërsa, në seancën e 7 marsit 2023, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi tha se lidhur me pretendimet e prokurorit Gashi i është drejtuar u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi më 7 shkurt. Gjykatësi ka njoftuar se më 27 shkurt 2023, kanë marrë një njoftim nga Kryeprokurori Kujtim Munishi dhe i njëjti kishte deklaruar se deklarimet e prokurorit nuk bien ndesh me pozitën e prokurorit të shtetit.
Në seancën e 21 dhjetorit 2022 mbrojtja kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës me arsyetimin se prokurori ka vepruar kundërligjshëm, pra pa mandat si prokuror i Krimeve të Rënda, ndërsa kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi mori aktvendim me të cilin e ka refuzuar këtë propozim, pasi që sipas tij, nuk janë përmbushur kriteret për hudhjen e aktakuzës.Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.