I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak sot e nesër do të qëndrojë për vizitë në Prishtinë.
Lajçak gjatë ditës së sotme do të ketë takime me krerët e shtetit, presidenten Osmani e kryeministrin Kurti, shkruan Reporteri.net.
Emisari evropian do të takohet fillimisht me presidenten Osmani, kanë bërë të ditur nga Presidenca. Takimi do të nis në ora 14:00, në kabinetin e Presidentes.
Lajçakun më pas do ta presë kryeministri Albin Kurti në Qeveri nga ora 16:00.
Vizita e Lajçak në Prishtinë vjen dhjetë ditë pas atij të fundit të mbajtur në Bruksel me Shefin e Diplomacisë së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në takimin trepalësh të 27 shkurtit, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së.
Kryeministri i Kosovës tha se ishte i gatshëm ta nënshkruante planin evropian, por nuk e bëri këtë për shkak se pala serbe nuk tregoi gatishmëri.
Takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të mbahet më 18 mars në Ohër.
Lidhur me këtë takim, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka thënë se pret që palët të pajtohen për rrugën e implementimit të marrëveshjes së 27 shkurtit.
“Ne presim që palët të pajtohen për rrugën e implementimit dhe për këtë palët duhet të përgatiten për konstruktivitet për propozimet, bazuar në tekstin tonë. Kjo është ajo çka unë pres që të diskutojmë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës sonë në Prishtinë dhe Beograd”, është shprehur Lajçak.