Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se pas asaj që kryeministri Albin Kurti i ka thënë po në Bruksel në takimin e 27 shkurtit, Kosova duhet ta ketë vëmendjen tani te plani i zbatimit të propozimit evropian, raporton Ekonomia Online.
Hoxhaj ka kërkuar nga Kurti, që ta mbrojë Kushtetutën.
“Kosova në këtë fazë pas asaj që Kurti i ka thënë po në Bruksel, duhet ta ketë vëmendjen kryesore te plani për zbatim. E them këtë si një njeri që kam qenë në negociatat në Vjenë, kur kemi negociuar për Pakon e Ahtisarit që çfarë shkruan në letër, ato parimet e përgjithshme për planin evropian. Qeveria do të duhej ta ketë vëmendjen është që të shoh sesi këto nene të kësaj marrëveshje ta kenë një plan të zbatimit i cili mbron interesat e Republikës së Kosovës. Tema kryesore tash është cili do të jetë plani i zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Hoxhaj.
“Kërkojmë prej Kurtit i cili është marrë gjatë me temën e dialogut sa ka qenë në opozitë, i cili ka mbledhur përvojë gjatë sa ka qenë në opozitë tash ta ketë një dije funksionale dhe të negociojë në mënyrë shumë politike, shumë profesionale para se këto të zbërthehen në planin e zbatimit. Ne insistojmë që mbi te gjitha të mbrohet Kushtetuta dhe rendi kushtetues i Kosovës”, ka shtuar ai.