Shefi i kabinetit të presidentes, Blerim Vela ka thënë se qëllimi i Serbisë nuk është të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim të bërë në Twitter, Vela ka shkruar se qëllimi i Serbisë është për të normalizuar rolin e saj hemogjenist dhe prishës në Kosovë e më gjerë.
Sipas tij, Vuçiq do të bëjë çdo gjë për të minuar marrëveshjet me Kosovën.
“Qëllimi i Serbisë nuk është të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Është për të normalizuar rolin e saj hegjemonist dhe prishës në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Prandaj Vuçiq do të bëjë gjithçka për të minuar çdo përpjekje serioze për një marrëveshje me Kosovën. Jo më qetësues, është koha për pasoja’, ka shkruar ai në Twitter.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dje në një intervistë dhënë për “RTS” tha se Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e shumë gjërave, por nuk mund të diskutohet për njohjen e Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në OKB.
Më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së.