Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke përgatitur padi për shpifje ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, pasi këta të fundit në një konferencë për media kërkuan nisje të hetimeve ndaj ministrisë nën dyshimin se ka abuzuar me 335 mijë euro.
Lajmin për Express e ka konfirmuar Zana Fetiu, këshilltare politike e ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çeku.
Fetiu tha se janë duke e përgatitur një padi për shpifje dhe se do t’i dëshmojnë “të pavërtetat që janë thënë lidhur me projektin ‘Drejt malit’”.
Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, të hënën tha se me këto 335 mijë euro janë blerë disa pajisje dimërore dhe të tjerat u shpenzuan për akomodim në hotelin “Molika” në Brezovicë, i cili sipas dokumentacionit zyrtar nuk figuron i regjistruar fare në Kosovë, por është i regjistruar në Serbi.
Ndër të tjerash, Bislimi kritikoi edhe heshtjen e ministrit Çeku për këtë çështje.
“Edhe pse kanë kaluar disa ditë që ky projekt abuziv është denoncuar nga media, ministri i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, ende nuk është deklaruar për këtë çështje dhe kjo heshtje nuk mund të interpretohet ndryshe përveçse si miratim”, tha ai.