Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar se takimi i sotëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përfunduar me dakordim mes të dy liderëve.
Borrell tha se Kurti dhe Vuçiq u pajtuan lidhur me konceptet që parasheh propozimi evropian, pa kërkuar diskutime të mëtejshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai tha se së shpejti, përmbajtja e propozimit do të bëhet e ditur edhe për publikun.
“Të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme. Jam i gëzuar të lajmëroj që Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që jo më shumë diskutime janë të nevojshme për propozimin evropian, i cili ka titullin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Le të kuptohet se Kurti e Vuçiq e kanë pranuar përfundimisht planin franko-gjerman. Teksti i propozimit do të publikohet shumë shpejt”, ka deklaruar Borrell në një konferencë për media.
Borrell po ashtu shtoi se takimin e sotëm e sheh si zhvillim të madh nga takimet paraprake, ku kryesisht diskutohej vetëm për menaxhim krizash.
“Fokusi i takimit ka qenë që të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovs dhe Serbisë. Ky është një zhvillim i madh sepse nga vera e kaluar jemi përfshirë në menaxhime krizash, me fokus vetëm në kriza, nga kriza në kriza, duke tentuar që t’i kontrollojmë krizat në terren. Ne tani po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Ky propozim, i Bashkimit Evropian, është i miratuar nga Këshilli i Evropës dhe që nga atëherë ne jemi angazhuar në një shuttle-diplomaci intesive. Lajçak ka udhëtuar rregullisht, ka qenë 10 herë në Prishtië dhe 8 herë në Beograd”, ka thënë ai.
“Kjo marrëveshje është për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, jo për Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Borrell.
I njëjti konfirmoi se takimi trilateral i radhës pritet të zhvillohet më 18 mars, në Shkup të Maqedonisë së Veriut.