Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot për takimin që do zhvillohet në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në konferencën me homologun e tij malazez, Rama tha se plani i BE’së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është ndër më të mirët për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Rama me ironi tha se të dyja vendet duhet të hynë në një dialog pa kthim dhe të mos jetë nevoja që “superfuqitë t’i marrin përveshi sa herë që grinden në oborrin pas shkollës”.
“Nuk ka asnjë rrugë tjetër, çdo rrugë tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftëra të brendshme, por që nuk ka lidhje me të ardhmen dhe unë dua shumë që të shpresoj dhe jam me gjithë zemër dhe mendje i angazhuar që lutem që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim dhe më shpejt sesa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin përveshi sa herë që grinden në oborrin pas shkollës”.
“Mendoj që marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman është më e mira gjë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë, por ky është thjesht një opinion. Respektoj sovranitetin e të dy palëve për të vendosur. Është e pashmangshme që Shqipëria të jemi në krah të qeverisë së Kosovës, që iu uroj me gjithë zemër kthjelltësi, vendosshmëri dhe sukses”, deklaroi Rama.