Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë të vetëdijshëm për masat ndëshkuese nëse nuk pajtohen ta nënshkruajnë ‘marrëveshjen bazë’ për normalizimin e raporteve.
“Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç e dinë shumë mirë se pala që e refuzon marrëveshjen, ose pala qe tregohet jo konstruktive, do të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe do të fajësohet për dështimin. Kjo mund të çojë në një përkeqësim të relacioneve me BE-në dhe në ndalimin e disa proceseve të rëndësishme”, ka thënë ajo për Albanian Post.
Eurodeputetja gjermane nga radhët e të Gjelbërve, thotë gjithashtu se dy liderët ballkanikë duhet ta shfrytëzojnë mbështetjen e madhe politike në mënyrë që ta “shesin” kompromisin sado i dhimbshëm që mund të jetë.