Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën gjatë mbledhjes së 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, se Kosova është treguar e përkushtuar sa i përket dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve.
Në këtë pikë ai ka thënë se statusi aktual i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është normal.
“Në raport me Serbinë, kemi marrë pjesë në takimet e bisedimit në Bruksel sa herë që jemi ftuar, kemi pritur emisarët specialë sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, konstruktiv, parimor e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, ka deklaruar Kurti dy ditë para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që lidhur me këtë ai u shpreh se presin që kjo të ndodhë nga 1 janari i vitit 2023, gjë të cilën e ka premtuar edhe publikisht.
Ndërkaq, sa i përket qeverisjes së partisë LVV gjatë dy viteve, ai ka deklaruar se asnjë Qeveri nuk është përballur me vështirësitë që këta të fundit po përballen.
“Pas tri javësh bëhen dy vite prej se kemi filluar të qeverisim, po arrijmë gjysmën e mandatit tonë. Janë dy vite plotë me punë pavarësisht vështirësive që po kalon e gjithë bota. Asnjë qeveri gjatë Kosovës së lirë nuk është përballur me vështirësi të tilla të natyrës globale”, ka thënë Kurti duke u shprehur krenar.
Në këtë pikë, sipas Kurtit nuk ka pasur asnjë skandal korruptiv gjatë qeverisjes së LVV në këto dy vjet.