Avokati i Adil Behramajt, Artan Qerkini, e ka konfirmuar bastisjen nga Prokuroria Speciale në banesën e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Qerkini tha se bastisja në banesën e Behramajt ka nisur rreth orës 08:30 të mëngjesit.
“Mund të konfirmoj në cilësinë e avokatit të Behramajt se bastisja është në rrjedhje e sipër. Pa përfunduar bastisja s’mund të them asgjë. Bastisja ka ndodhur rreth orës 08:30 të mëngjesit”, është shprehur Qerkini, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, në lidhje me bastisjen, nga ZPS-ja kanë refuzuar të japin komente.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton mbi hetimet e veta”, është shprehur Christopher Bennett.
Në lidhje me bastisjen e banesës së Behramajt, i cili tani udhëheq mediumin “Demokracia”, ka reaguar ish-kolegu i tij, Artan Behrami.
Ai ka thënë se ky është një skandal dhe se është kërcënim i hapur i gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovë.
“Bastisja e banesës së mikut tonë dhe udhëheqësit të mediumit ‘Demokracia’, Adil Behramajt nga Prokuroria e Gjykatës Speciale është një skandal i paprecedent. Ky është një kërcënim i hapur ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovë. Pa paragjykuar motivet, frikësimi i gazetarëve nuk i bënë nder Prokurorisë Speciale!”, ka shkruar Behrami në një postim në Facebook.