Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Partia Demokratike e Kosovës, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu tha se dërgimi i Ligjit për Byronë në Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave.
Megjithatë minsitrja thekson se Byronë nuk mund t’i ndalojë askush.
“Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime përbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve. Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë”, tha Haxhiu.
Ministrja shton se para miratimit në parim, projekt-ligji është dërguar edhe në Komisionin e Venecias, si institucionin më kredibil për demokraci nëpërmjet ligjit.
Kjo ishte bërë pikërisht me kërkesë të opozitës.
“Pasi kaloi të gjitha hallkat e verifikimit më në fund u soll në Kuvend për t’u votuar në leximin përfundimtar. Nuk ka institucion më të lartë në kontinentin tonë për të shuar dilemat e opozitës sesa Komisioni i Venecias. Madje edhe vet Gjykata Kushtetuese në rastet sidomos më komplekse, konsultohet me Komisionin e Venecias”, tha ajo.
Ndërkaq, më 9 shkurt 2023, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.