Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur në lidhje me takimin e 27 shkurtit në mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që do të zhvillohet në Bruksel.
Kurti tha se nga ky takim presin të ketë diskutime të mëtutjeshme dhe të ecin mbi bazën e propozimit evropian.
Duke folur në lidhje me Asociacionin, Kurti tha se janë pesë fjalë të preambulës me 10 nene, dukë shtuar se beson që do t’i përmbahen propozimit që kanë marrë dhe jo intersit të njërës palë.
Kurti tha gjithashtu se për gjëra të tjera nuk mund të flasin tani edhe për shkak se kjo varet nga ndërmjetësit e dialogut.
“Pas të hënës do të mund të dimë se çka e ku”, ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për akuzat e deputetit Haki Abazi, duke shtuar se ato janë të pavërteta dhe të pasakta.
“Ato nuk janë të vërteta e as të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja e Drejtësie. LVV është subjekti më i madh dhe më demokratik. Unë nuk mund të mbajë përgjegjësi për fjalën publike të dikujt”, ka thënë ai.
Ndryshe deputeti i VV-së, Haki Abazi është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me deklarimet për rastin e Astrit Deharit.
Të enjten ai ka theksuar se Prokuroria duhet të intervistojë edhe vetë kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në lidhje me zhdukjen e mostrave të rastit të Deharit.