Për shkak se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk kishte të angazhuar mbrojtës, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj tij për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar më 2016 në Kuvend.
I akuzuari Konjufca ka thënë se nuk dëshiron të angazhoj mbrojtës pas pyetjes së gjykatëses Edita Çanta se a kishte angazhuar mbrojtës meqë me Kodin e ri të Procedurës Penale mbrojtja është e detyrueshme.
Lidhur me këtë, gjykatësja Çanta tha se do të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës për t’i caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, në këtë seancë prezent ishte dëshmitari Adem Grabovci dhe prokurori i shtetit Besart Mustafa.
Pas njoftimit të gjykatëses për seancën e radhës, dëshmitari Grabovci tha se tjerë janë ata që kanë gjuajtur dhe se asgjë nuk i kujtohet.
“Vallahi gjyqtare kur dush, po nuk osht ky që e ka gjujt, tjerë janë ata që kanë gjujt”, tha Grabovci.
Gjykatësja Çanta më pas tha se për këtë mund të deklarohet në seancën e radhës, e që Grabovci vazhdoi me fjalët “Po sen nuk më kujtohet, ndaq thirrem sa herë dush kurgjo nuk m’kujtohet”, duke ju drejtuar të akuzuarit Konjufca se “Unë ty s’tkom pa e Albinin po”.
Ndërsa lidhur me mungesën e dëshmitarit Slobodan Petroviq, gjykatësja Edita Çanta konstatoi se gjykata nuk ka prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt dhe për këtë do të presë fletëkthesë e më pas do të veprojë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.