Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka uruar popullin e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë.
Përmes një komunikate për media, të lëshuar nga Departamenti Amerikan thuhet se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në këta 15 vjet, drejt një demokracie të qëndrueshme, multietnike e gjithpërfshirëse.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës në ditën kur ju festoni përvjetorin tuaj të pesëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur.
Këtë vit, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova riafirmuan partneritetin tonë të fortë dhe përkushtimin e përbashkët ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës ndërsa përballemi me sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane. Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse.
Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët. Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj”, thuhet në komunikatën e lëshuar.
Aty potencohet se partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes dy popujve.
Blinken në letrën e tij thotë se “njohja reciproke eventuale” është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ai thotë se plani i BE-së, i propozuar së fundmi do ta çojë vendin drejt një stabiliteti më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik.
Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes popullit tonë. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, në qendër të njohjes eventuale reciproke, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, thuhet në letrën e Blinken. /Reporteri.net/