Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar Fadil Bekën, mjek i luftës në UÇK, tek i cili iu kishte nënshtruar operacionit ish-komandanti Mujë Krasniqi.
Krasniqi, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, njoftoi për vizitën e ambulantës së pare të UÇK-së në fshatin Ticë, derisa çmoi kontributin e mjekëve të luftës përgjatë dhe pas saj, shkruan Demokracia.com.
“Mjekët dhe infermierët e luftës zënë një vend të shenjtë në përpjekjet e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Ata kanë qenë edhe heronj në luftë, diçka e cila nuk ka ndryshuar as shumë vite më pas, siç i pamë edhe përmes kontributit të tyre jetik gjatë pandemisë”, shkruan Krasniqi në ‘Facebook’.
Numri një i PDK-së sjell në kujtim gjendjen aktuale të shëndetësisë në Kosovë, duke përmendur pagat e ulëta dhe largimin e madh të stafit mjekësor drejt shteteve të Perëndimit.
Postimi i plotë:
“Ka qenë absolutisht krenaria e jetës time shërbimi si mjek i luftës në UÇK. Edhe sot do të veproja njësoj” – kështu e nis rrëfimin e tij doktor Fadil Beka, me të cilin sot qëndruam në fshatin Likofc – aty ku ishte themeluar spitali i parë ushtarak i UÇK-së.
Përgjatë vizitës, doktor Fadili kujtonte 27 prillin e vitit 1998, ditën kur në këtë spital u krye operacioni i parë kirurgjik me anestezion të përgjithshëm për të shëruar plagët e komandantit Mujë Krasniqi – Kapuçi.
Kontributi i doktor Fadilit në luftë është i shumëfishtë. Sot vizituam edhe ambulantën e parë UÇK-së, të cilën ai e kishte hapur në shkurt të vitit 1998 në shtëpinë e tij, në fshatin Ticë, për të trajtuar të plagosurit e Zonës së Drenicës.
Mjekët dhe infermierët e luftës zënë një vend të shenjtë në përpjekjet e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Ata kanë qenë edhe heronj në luftë, diçka e cila nuk ka ndryshuar as shumë vite më pas, siç i pamë edhe përmes kontributit të tyre jetik gjatë pandemisë.
Fatkeqësisht tani – në vitin 2023, spitaleve tona u mungojnë ilaçet dhe materialet shpenzuese, pagat e profesionistëve shëndetësorë janë ndër më të ulëtat në rajon dhe largimi i stafit mjekësor drejt Evropës po rritet përditë.
Prandaj, prioritet i yni duhet të jetë rregullimi dhe avancimi i sistemit shëndetësor në Kosovë, sepse është koha që mjekët dhe infermierët të trajtohen me dinjitet, e qytetarët të marrin shërbime cilësore shëndetësore.
Unë besoj që kjo është e mundshme, sepse mjekët tanë kanë besuar dhe kanë pasur vullnet për punë edhe në kohë më të vështira. Andaj, edhe sot duhet të besojmë në një të ardhme më të mirë dhe më me perspektivë në Kosovë!