Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 19-vjeçarit Eduart Bujupi të martën në aksident trafiku në Arllat.
Vdekjen e të riut, Lladrovci e ka cilësuar lajm tragjik dhe tragjedi.
Postimi i plotë:
Kryetari Lladrovci ngushëllon familjen Bujupi për humbjen e djalit të tyre
Më rastin e humbjes së Eduart Bujupi nga fshati Arllat i Komunës së Drenasit, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka ngushëlluar familjen Bujupi për humbjen e djalit të tyre.
“Na tronditi pa masë lajmi tragjik se ka humbur jetën në aksident, biri juaj, Eduarti. Kjo tragjedi dhe humbje e madhe për Familjen tuaj të nderuar, është njëkohësisht edhe humbje për të gjithë neve. Një i ri i yni, nuk është më me ne dhe kjo është e dhimbshme.
Në këto orë të rënda për familjen Bujupi, jemi pranë jush, për të marrë sado pak nga dhimbja Juaj për birin Tuaj, Eduartin. Ju nuk jeni vetëm në këtë tragjedi. Mbahuni të fortë, ngushëllim Juve, miqve e dashamirëve Tuaj.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Eduartin, Zoti e mëshiroftë!