Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka ndarë medaljen “Urdhri i Lirisë” veprimtarit shqiptaro-amerikan, Xhim Xhema.
Sipas njoftimit nga Presidenca, atij i është dorëzuar kjo medalje “me motivacionin për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
“Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se Xhim Xhema është ikonë e mërgata shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Presidentja Osmani shprehu respektin dhe mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Republikës se Kosovës për rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptaro-amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Xhema në anën tjetër ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës “ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.
“Ai tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikan, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Xhema po qëndron në Prishtinë pak ditë pasi Kuvendi Komunal vendosi që ta emërtojë Rrugën A me emrin “Xhim Xhema”.