Florent Hadërgjonaj të dielën ishte pjesë e emisionit “Koha Shtesë”, ku foli lidhur me kohën që po kalon në Turqi tek Kasımpaşa, situatën pas tërmetit atje dhe të ardhmen me përfaqësuesen e Kosovës.
Mbrojtësi i krahut të djathtë është aktualisht i lënduar dhe ka katër ndeshje qe nuk aktivizohet te klubi i tij.
I pyetur si e ka përjetuar situatën me tërmetin në Turqi, Hadërgjonaj tregoi se ka qenë një periudhë jo e lehtë mentalisht për të dhe shokët e skuadrës, pavarësisht se tërmeti nuk ishte afër me qytetin ku jeton ai (Stamboll):
“Jemi mirë këtu në Stamboll, nuk ishte diçka që ndikoi shumë fatmirësisht, është tragjedi e madhe dhe nuk mund ta përshkruaj me fjalë skuadra ime ka luajtur pikërisht në Hatay. Isha në dyshim për të qenë në pjesë e asaj ndeshje por vendosëm një ditë më përpara që të mos isha, nuk kam qenë mirë mentalisht dhe fakti që nuk kam qenë aty më ka bërë të ndihem shumë keq. Kasimpasa ka ndihmuar me rroba dhe para kemi mbledhur fonde dhe e vlerësoj shumë “
Sa i përket rikthimit të kampionatit, Hadergjonaj tha:
“Kemi disa ditë të lira që të qetësohemi dhe rikthehemi, por pastaj duhet të rikthehemi, për momentin nuk mundem ta paramendoj se si do të fillojmë të stërvitemi dhe luajmë. “
Tash e tre vite Hadergjonaj është bërë pjesë vitale e skuadrës së tij Kasimpasa. Megjithatë 28 vjeçari tha se është duke shqyrtuar ofertat për vazhdimin e karrierës diku tjetër:
“Ndihemi shumë mirë, kalimi në Turqi para 3 vitesh nuk ishte një hap i lehtë por i duhur dhe në këto momente po shoh çfarë do të ndodhë pas përfundimit të kampionatit. Kontrata skadon në fund të sezonit dhe kam oferta por duhet të shohim se çfarë vendimi do të marr “
Sa i përket gjasave të Kosovës për kualifikim në EURO 2024 dhe ndeshjet që Dardanët do t’i luajnë kundër Zvicrës, Hadërgjonaj shprehet mjaft opitimist:
“Besoj që kemi gjasa të mira për kualifikim dhe të arrijmë diçka shumë të madhe, kjo është ëndrra jonë dhe shpresojmë të realizojmë. Do të jetë një ndeshje e veçantë ndeshja me Zvicrën kemi luajtur një ndeshje miqësore para 1 viti por kjo do të jetë më e rëndësishme dhe do të synojmë të marrim pikët maksimale “
Ne 18 ndeshjet e luajtura këtë sezon për Kasimpasa, Florent Hadërgjonaj ka shënuar tre gola dhe ka dhënë 1 asistim.