Shqipëria ka ulur ditën e sotme flamujt në gjysmë shtizë në nder të viktimave që kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë. Vendimi është marrë 3 ditë më parë nga Qeveria Shqiptare.
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj ka bërë apel që në këtë ditë zie kombëtare, shqiptarët të bashkojnë lutjet dhe solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit.
Në reagimin e tij në Facebook, Begaj thotë se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor 2019.
“Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona dhe të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor 2019”, shkruan Begaj./tvklan