Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se këmbëngulja e Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është e padrejtë dhe e dëmshme.
Ai i bëri këto komente gjatë ditës së djeshme.
“Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, por ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë dhjetë kryetarë të komunave të së njëjtës parti që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është më shumë dëshirë e Beogradit zyrtar sesa e komunitetit serb në Kosovë.
Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës por jam i bindur që mu këtë e do Serbia”
“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej nëse ja kanë vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon Asociacion të tyre. Si zajednicë komunash pat nisur edhe Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës por jam i bindur që mu këtë e do Serbia”, tha ai.
Diplomatët perëndimorë kanë shtuar përpjekjet për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bazë të një propozimi evropian, i cili me tjerash parasheh zbatimin të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në Bruksel. Diplomatët kanë vënë theksin te marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pika më e vështirë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Thirrjeve për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin iu bashkuan edhe udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian pas një takimi të enjten me shefin e Politikës së Jashtme, Josep Borrell.
Në kuadër përfundimeve të takimit ku u përfshi edhe procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi dhe propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, udhëheqësit evropianë thanë se “në dritën e tensioneve të fundit në veriun e Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Këshilli Evropian, thuhet më tej, “mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një mundësi historike që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët”.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se pret të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit evropian, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se mund të shkojë në Bruksel për bisedime vetëm pasi të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Javën tjetër Kosova përmbush 15 vjet të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.