Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se pozicionimi i kryeministrit është i dëmshëm dhe i rrezikshëm në bisedime me Serbinë.
Ai ka komentuar deklarimet e sotme të Albin Kurtit, i cili është shprehur se marrëveshja e cila po negociohet nuk është finale. Gashi në konferencë për media tha se katër faktet e përmendura nga ai, kanë lëvizur në mënyrë drastike boshtin e qëndrimeve institucionale të Kosovës.
“Sot e kemi thirrë në vazhdën e seancës e cila pat zhvillime të paparashikueshme dhe deklarime te jashtëzakonshme nga ana e kryeministrit. I cili deklaroi se marrëveshja e cila po negociohet nuk është marrëveshje finale, nuk është ligjërisht e obligueshme dhe nuk ka garanci ndërkombëtare sa i përket njohjes reciproke. Këto ishin katër fakte për të cilat ne i morëm vesh sot zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës. Të cilat e lëvizin në mënyrë drastike boshtin e qëndrimeve politike dhe qëndrimeve institucionale të Kosovës dhe të cilat ne vlerësojmë që e dëmtojnë shumë pozicionin e Republikës së Kosovës në bisedime me Serbinë”, ka thënë Gashi.
Gashi theksoi se do të kërkojnë që të hënën të diskutohet në seancë plenare për këto çështje dhe se për këtë mund të diskutohet edhe me dyer të mbyllura.
“Ne kërkuam dhe propozuam në mënyrë formale pas deklarimeve të kryeministrit që është i gatshëm të diskutojë çështjen në detaje, propozuam që të kemi pikë të rendit të ditës çështje të karakterit urgjent sipas rregullores së punës së kuvendit dhe të diskutojmë lidhur me bisedimet me Serbinë por e çuditshme edhe pse kryeministri e premtoi publikisht qe është i gatshëm të bisedojë, refuzoi duke i kërkuar deputetëve të LVV-së që të votojnë kundër këtij propozimi për të trajtuar këtë çështje, e cila ishte e karakterit urgjent sepse këto katër fakte kanë qenë të paditura për opinionin publik dhe për politikën në Kosovë. Ne jemi insistues që debati të mbahet sa më shpejtë dhe do të kërkojmë përsëri që debati të mbahet ditën e hënë dhe besojmë që në këtë debat do të marrim më shumë informacione…. Do të shohim për çështjen e sensibilitetit a do të jetë me dyer te hapura apo të mbyllura”, u shpreh ai në konferencë për media.
Shefi i deputetëve të LDK-së shtoi se deri më tani kërkesat kanë qenë për njohje reciproke por këtë e ka ndryshuar vet kryeministri Kurti.
“Propozimi që ka qenë në tavolinë deri më tash ka qenë propozim për marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, me garanci ndërkombëtare, me njohje reciproke. Në momentin kur kryeministri ka filluar të rihap të 33 marrëveshjet e negociuara, prej tyre tri i ka hapur, i ka rinegociuar dje i ka mbyll me të njëjtin proces pa asnjë ndryshimi, ka ndryshuar baza e negocimit dhe mënyra e platformës se Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Dëmi qe i është bërë Kosovës ne këtë rast është nga kryeministri i Kosovës sepse ka kërkuar një proces tjetër dhe të ndryshëm nga ajo që ka qenë në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare e pranuar nga Serbia”, ka përfunduar ai.
Gashi ka komentuar edhe deklaratën e Kurtit, i cili ka thënë se opozita duhet të deklarohet para Escobarit.