Anëtarët e LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, i kanë rënë pishman që kanë votuar për shpalljen “Qytetar Nderi” të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ata sot i kanë tërhequr votat e tyre.
Shefi i Grupit të Kuvendarëve të LDK-së, Haziz Hodaj tha se votat janë tërhequr pasi që Veliaj nuk e ka trajtuar mirë figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“ Veliaj e ka sakatuar kohën e fundit një rrugë me emërtimin Rugovës. Po ashtu një shtatore me vite qëndron në depo, prandaj e tërheqim votën për shpalljen e tij “Qytetar Nderi” i Prizrenit”, tha Hodaj
Ai, paralajmëroi se nuk do të marrim pjesë në ceremoninë e ndarjes së Veliajt “Qytetar Nderi”.
Kuvendi i Prizrenit muajin e kaluar ka miratuar kërkesën e kryetarit Shaqir Totaj që titulli “Qytetar Nderi” t’i ndahet kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, shkruan PrizrenPress.
Totaj para anëtarëve të Kuvendit pati prezantuar biografinë dhe veprimtarinë e Veliajt duke veçuar angazhimin e tij për krijimin e Unionit të Bashkive Shqiptare, pjesë e së cilës është edhe Prizreni.
“Nën drejtimin e z. Veliaj, Unioni ka avancuar kauzën e shqiptarëve në rajon, duke iu ofruar qeverisje më të mirë lokale, shërbime më të mira, zgjedhje më të mira për jetesën e komunitetit, cilësi më të mirë në të gjithë faktorët e jetës që preken nga puna e bashkisë”, ka thënë Totaj.
Plani i organeve komunale të Prizrenit është që titulli “Qytetar Nderi i Prizrenit” t’i dorëzohet kryebashkiakut Veliaj më 17 shkurt, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.