Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi po zhvillon një takim me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lakçak.
Kurti para këtij takimi është shprehur se do të prononcohen për media pas takimit, duke treguar se do të bisedojnë për gjashtë kushtet që ai i ka përmendur për formimin e Asociacionit.
Lajçak, përveç Kosovës sot do ta vizitoj edhe Serbinë.
Gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës në Kuvendi i Kosovës, prezantoi gjashtë kushtet e Qeverisë së tij për themelimin e Asociacionit. Kjo ishte hera e parë që qeveria foli dhe tregoi qasjen e saj ndaj Asocacionit.
Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.