I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pritet që sot të vizitojë Kosovën.
Pritet që kryeministri Kurti dhe zv.kryeministri Bislimi të shtrojnë një drekë për Lajçakun, e cila do të jetë edhe drekë pune.
Raportohet se ai pas Prishtinës, do të shkojë edhe në Beograd, ku do të zhvillojë takim edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Vizitat e shpeshta të Lajçak në Kosovë dhe Serbi, kanë të bëjnë me rritjen e intensitetit të dialogut, konkretisht për avancimin rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Lajçak drekoi me Kurtin dhe Bislimin edhe me 25 janar, pikërisht në Prishtinë.
“U ktheva në Kosovë për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut të zbatohen plotësisht”, kishte shkruar Lajçak në Twitter.