Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dy ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën sot para Speciales, për të dëgjuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ndaj tyre.
Gjykata e Apelit mori vendim që të lë në paraburgim Gucatin dhe Haradinajn, por t’ua zvogëlojë dënimin për nga tre muaj.
“Në emër të Gjykatës së Apelit lë në fuqi verdiktin në fuqi të fajësisë.Dhe lë në fuqi verdiktin e fajësisë së Gucatit dhe Haradinajt për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimeve të rënda.Anulon vendimin për 4 vjet e gjysmë burgim për Gucatin dhe Haradinajn dhe cakton në përjashtim të mospajtimit një dënim prej 4 vjet e tre muaj për Gucatin dhe 4 vjet e tre muaj për Haradinajn, duke llogaritur kohën e kaluar në burg.Vendos që ky aktvendim të zbatohet me efekt të menjëhershëm dhe urdhëron që Gucati dhe Haradinajn të mbeten në paraburgim të Dhomave të Specializuara”,tha gjykatësja, shkruan lajmi.net.
Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim në shkallë të parë, më 18 maj 2022.
Të njëjtit u arrestuan më 26 nëntor të vitit 2020 dhe prej atëherë janë në paraburgim në Hagë.
Koha e kaluar në paraburgim, do t’u llogaritet në dënim.