Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për koeficientin për paga që u zbardh gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Qeverisë.
Haradinaj ka thënë se Qeveria sot i vuri vulë mashtrimit. Sipas tij, fshehja e koeficientit deri më tani ishte i qëllimshëm, në mënyrë që t’i fusë në debate dhe përplasje edhe përfaqësuesit e ndryshëm sektorialë, duke bërë rritje të kamufluara për disa sektorë, nivele dhe pozita, përderisa shumicës ia konfirmon ato paga që i kishin tashmë.
Reagimi i plotë:
Qeveria e re, në ditën e parë të punës, në takimin e parë, vendimin e parë ta marrë për ta rritur koeficientin e pagave, që përjetë të respektohen zyrtarët në sektorin publik.
Përndryshe, sot qeveria i vuri vulë mashtrimit. Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t’i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji i cili nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si ‘armiqësorë’, i anatemon.
Kishte për qëllim t’i fusë në debate dhe përplasje edhe përfaqësuesit e ndryshëm sektorialë, duke bërë rritje të kamufluara për disa sektorë, nivele dhe pozita, përderisa shumicës ia konfirmon ato paga që i kishin tashmë.
Ligii sipas këtij koeficenti ka krijuar terren për keqkuptime ndaj kundërshtimeve opozitare të një vendimmarrjeje qeveritare arbitrare dhe përjashtuese. Kjo qasje është fyese! Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues!