Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.
Kjo shumë do të shumëzohet me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe prodhon vlerën e pagës.
“Kjo ndarje e koeficientit është vazhdë e mashtrimeve të Qeverisë Kurti”.
Kështu e ka vlerësuar ndarje e vlerës së koeficientit, Ali Gashi, kryetar i Këshillit Drejtues të BSPK-së.
Gashi ka thënë për Front Online se logjika e Qeverisë është të krijojë fukarallëk të skajshëm.
“Kjo ndarje e koeficientit është në vazhdën e mashtrimeve të kësaj qeverie dhe mos mbajtjes së fjalës që është dhënë. Këta po tallen e po mashtrojnë me ne dhe është për të ardhur keq. Në këtë gjendje shumë të rënduar ekonomike, ku ikja është shumë e madhe prej të rinjve në Kosovë dhe inflacioni është shumë i lartë e të caktohet një koeficient në vlerë prej 105 euro, kjo është e paprecedent dhe kjo është logjika e kësaj qeverie që të krijojë një fukarallëk të skajshëm tek qytetarët”, tha Gashi.
Gashi ka thënë se pas këtij lajmi për zyrtarët e administratave kjo është dita me e keqe e tyre.
“Ne jemi të shokuar nga kjo vlerë e koeficienti. Ne do të ulemi të bisedojmë me anëtarësinë dhe të marrim ndonjë vendim dhe kjo është dita më e keqe dhe që i ka zhgënjyer të gjithë zyrtarët duke marr parasysh pagat e ulëta që i kanë ndër vite, është për të ardhur keq“, u shpreh Gashi për Front Online.
Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.