Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mëngjesin e sotëm ka takuar punonjësit shëndetësorë.
Kreu i LDK-së thotë se mjekët ia kanë konfirmuar që sistemi shëndetësor është në pikë e thyerjes.
Ai thotë se klinika të tëra spitalore janë pa penj, pa dorëza, pa infuzione e pa mjete higjienike bazike, derisa në anën tjetër, Qeverisë i kanë tepruar mbi 1.3 milion euro të dedikuara për barna e material bazik gjatë vitit 2022.
Postimi i plotë:
Pa penj, pa infuzione, pa dorëza!
Mëngjesin e së premtes e nisa me punonjës shëndetësorë të cilët ma konfirmuan atë që të gjithë e dimë tashmë; sistemi ynë shëndetësor është në pikën e thyerjes.
Klinika të tëra spitalore janë pa penj, pa dorëza, pa infuzione e pa mjete higjienike bazike. Pacientët, familjarët e tyre, duhet t’i sjellin ato me veti para operimeve e intervenimeve.
Për pacientët me kancer, në përballjen e tyre për jetë, nuk ka barna. Tani, kur kosto e jetës është e papërballueshme, ata duhet t’i blejnë ato vet.
Qeverisë, ndërsa, i kanë tepruar mbi 1.3 milion euro të dedikuara për barna e material bazik gjatë vitit 2022. Tepricë parash kur nuk ka as penj!
Kjo gjendje është thjeshtë e papranueshme.
Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë!