Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka pritur sot në takim njoftues Drejtorin e ri të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Kosovë, Rinor Gjonbalaj. Po ashtu, Ministri përshëndeti Drejtoreshën e deritanishme Sarah Olmstead.
Ministria e Financave ka bërë të ditur se Murati e uroi për përfundimin e suksesshëm të misionit të saj shumëvjeçar në Kosovë.
“Përgjatë takimit u diskutua lidhur me rrjedhën e projektit për bateri. Me këtë rast Ministri u njoftua që shumë shpejt do të fillojë dizajnimi detaj i projektit, i cili shënon edhe hapjen e rrugës drejt realizim të projektit. Delegacioni i MCC-së falënderoi Ministrin Murati dhe Sekretarin Spahiu për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Programit Kompakt, me theks të veçantë angazhimin e personelit të Ministrisë në zbatimin e projektit. Me këtë rast, Ministri theksoi se ministria që ai drejton mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projektit Kompakt, i cili është i një rëndësie tejet të veçantë për qëndrueshmërinë e sektorit energjetik në vend, veçanërisht në diversifikimin e burimeve energjetike”, thuhet në njoftim.
MF-ja ka bërë të ditur se programi Kompakt zbatohet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë amerikan.