Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se vërshimet sipas saj, nxorën në pah injorimin e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ajo shtoi se vërshimet në Skenderaj, Mitrovicë, Istog dhe Klinë kanë nxjerr në pah injorimin e pashpjegueshëm që kryeministri Kurti ka për komunat që ajo thotë se ‘nuk i kontrollon vet”.
Deliu u shpreh se Qeveria Kurti nuk mori asnjë vendim në mbledhjen e fundit të saj për gjendjen emergjente, pas vërshimeve.
“Asnjë mbështetje për mijëra qytetarë të mbetur jashtë shtëpive të tyre. Asnjë mbështetje financiare për dëmet materiale. Asnjë zotim! Të vetmit që janë duke ndihmuar janë komunat, shtetet mike te Kosovës, biznesmen, qytetarë të vullnetit të mirë dhe OJQ-të”, shkroi ajo në Facebook.
“Por, solidariteti i njerëzve këtu në Drenicë dhe qytete tjera të prekura nga vëshimet është i madh, vullneti për të rimekëmbur shtëpitë është i pathyeshëm”.
Gjithashtu, ligjvënësja opozitare ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të ndajë fonde për intervenim emergjent në këto komuna, “sidomos në ditët e ardhshme kur pritet rënia e temperaturave”.