Gjykata Themelore në Prishtinë, sot ka informuar se ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj katër personave për gjashtë vepra penale.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.S, XH.M, H.H, T.SH për shkak të veprave penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 lidhur me nenin 28 dhe 32 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës, Lëndim i rëndë trupor nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës, Detyrimi nga neni 328 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës, Zjarrëvenja nga neni 322 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës dhe Mbajtja ë pronësi apo posedim i paautorizuar i armës nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.”, është bërë e ditur nga gjykata.
Gjyqtarja e procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse të pandehurit D.S, XH.M, H.H, T.SH gjendet në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes së të pandehurve, të njëjtit po të gjenden në liri, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale dhe mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë.
“Gjykata ka vlerësuar se duke marrë parasysh rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, e kaluara e tyre kriminale si dhe marrë parasysh peshën e këtyre veprave penale, nëse të pandehurit lihen në liri, do ti përsërisin veprat penale apo të ngjashme, andaj këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore të parapara nga neni 187 paragrafi 1, nënparagrafi 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.S, XH.M, H.H, T.SH.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Policia dje ka informuar se gjatë një operacioni në rajonin e Prishtinës janë arrestuar katër persona për krim të organizuar.