Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se për shkak të rritjes së barrës tatimore qytetarët janë duke pranuar fatura të dyfishuara.
Në njoftimin e lëshuar për media ky subjekt politik thotë se kjo është duke u bërë me vendime të pakoordinuara dhe të papërgjegjshme.
LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të rishikoj të gjitha mundësitë ligjore për të pezulluar rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, duke mos lejuar rritjen e ngarkesës tatimore në pronë për qytetarët e Kosovës.
“Qeveria e paaftë ka filluar vitin e ri edhe me një rritje të ngarkesës tatimore për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe një godite tjetër ndaj papërballueshmërisë në kohën kur kosto e rritjes së çmimeve dhe kosto e jetesës ka arritur nivele rekorde në vend”.
“Për shkak të rritjes së barrës tatimore – si rezultat i rritjes së vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave – qytetarët e Kosovës kanë filluar të pranojnë faturat e tatimit në pronë me rritje deri në dyfishim. Kjo ngarkesë shtesë, në kohë të krizës së çmimeve, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Vendimet e Ministrisë pa koordinim, janë papërgjegjësi”.
“LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të rishikoj të gjitha mundësitë ligjore për të pezulluar rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, duke mos lejuar rritjen e ngarkesës tatimore në pronë për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu Ministria e Financave sa më shpejtë ta dërgojë ligjin e ri për tatimin në pronë në Kuvend në mënyrë që t’iu mundësohet komunave ulja e pragut të normës tatimore”.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se rritja e çmimit të faturës për tatimin në pronë s’ka ardhur nga komunat.
Ky reagim vjen pak pasi Ministria e Financave doli me një sqarim duke thënë se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.
Sipas AKK-së, komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut.
Ndërkaq në sqarimin e Ministrisë së Financave u tha se ky tatim mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për to.
Siç bëhet e ditur, MFPT, bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa thuhet se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.
“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, përgjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha Komunat”, thuhet në sqarimin e MF-së.